34 kilometra që lidhin Tiranën me Durrësin përbëjnë një nga rrugët interurbane kryesore në vend. Nisur nga këto aksidente së bashku me ekspertin e sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, do të shohim standardet që kjo rrugë ka.

Vendosja e këtyre gjysmë sferave anash karrexhatës sapo kalon mbikalimin e Kamzës janë rreziku i parë për drejtuesit e automjeteve.

“Nëse një mjet del nga rruga këto mund të devijojnë drejtimin e levizjes dhe mund të jenë shkas për një aksident rrugor”,

thotë eksperti Fatmir Masho.

Siç dallohet nga dridhja e makinës së Tv Klan, asfalti është i dëmtuar në disa segmente të rrugës.

“Do ta vëmë re në të gjithë këtë gjatësi të rrugës që ka dëmtime, si efekt i lëvizjes së mjeteve të rënda drejt Durrësit”.

Ky autobus po tenton të futet në një rrugë dytësore.

“Vështirësia e kthimit të tij është shumë e madhe për arsye të konfiguracionit të kthimit të rrugës që është i pamjaftueshëm për një mjet të kësaj kategorie. Një rrugë interurbane dytësore e paprojektuar sipas standarteve të sigurisë rrugore”. 

Kalimet e paligjshme për hyrë apo dalë nga rruga interurbane në të dyja drejtimet janë një tjetër problem evident.

Kanë kaluar më shumë se 10 ditë kur në Tv Klan kemi denoncuar kalimin e paligjshëm në mbikalimin e Fllakës, një burim aksidenti për të gjitha makinat që lëvizin në këtë rrugë, megjithatë asnjë masë nuk është marrë nga policia për të bërë bllokimin e saj.

“Kjo rrugë duhet të mbyllet, është nga pikat më të errta të rrugës Tiranë – Durrës”

, shprehet eksperti.

Edhe rruga ndihmëse që lidh rrugën Tiranë – Durrës me rrugën Vorë – Marikaj përbën një kalim të parregullt.

Rruga Tiranë-Durrës është aksi me më shumë trafik në vend me mbi 50 mijë mjete në ditë. Qeveria ka njoftuar se në vjeshtë do të nisin procedurat e koncensionit e më pas vendosja e pagesës për këtë rrugë, ndërkohë që në të mijëra drejtues rrezikojnë jetën në mungesë të elementeve të sigurisë rrugore.

Tv Klan