Dy ukrainase u gjetën pa shenja jete nga shoqja e tyre bashkëkombëse, në Tiranë. Antonina Kozachenko 25-vjeç dhe Anastasia Lopukhova 40- vjeç ndërruan jetë rreth orës 13:35 në një banesë në zonën e quajtur “Selvia” tek “Rrugën e Dibrës” në kryeqytet. Sipas policisë së Tiranës, dyshohet se dy shtetaset e huaja kanë humbur jetën për shkak se kanë konsumuar mbidozë ilaçesh me përmbajtje lëndësh narkotike.

Tre vajzat nga Ukraina kanë ardhur në kohë të ndryshme në Shqipëri. Dy viktimat kanë ardhur rreth një javë më parë në vendin tonë, ndërsa shoqja e tyre ka ardhur rreth 2 muaj më parë. Kjo e fundit u shoqërua nga policia, por gjatë momentit që po dërgohej në komisariat ajo shfaqi shenja agresiviteti.

Në banesën në katin e tretë në rrugën e Dibrës qëndronin të treja prej një javë ku kishin bërë rezervimin dhe pagesën. Faturat dhe pagesat janë vënë në dispozicion nga pronari i banesës. Sipas policisë tre vajzat kanë konsumuar ilaçin “Xanax” dhe “Tramadol” për disa orë, deri sa kanë rënë në gjumë.

Ukrainaset nuk janë zgjuar, dhe e vetmja që u zgjua ishte shoqja e tyre e cila njoftoi policinë. Grupi hetimor është duke kryer verifikime për sa i përket aktivitetit të tyre në vendin tonë. Sipas burimeve të policisë, ka dyshime të arsyeshme që ishin punonjëse seksi. Për këtë arsye do të bëhet një ekspertim i telefonave celular të tyre, për të faktuar aktivitetin që kryenin në vendin tonë.

Nga verifikimet u zbulua se ukrainaset dy ditë më parë kanë kërkuar ilaçin “Xanax” në një farmaci në Tiranë por punonjësja nuk ka pranuar t’ua shesë. Njëra prej tyre e ka kafshuar në dorë farmacisten dhe janë larguar. Ajo ka bërë denoncim në polici dhe për 48 orë nuk janë lokalizuar.

Klan News