Policia: Parandalohet vrasja, Erkoçeviq me rrezikshmëri të lartë

Sadedin Erkoçeviq është arrestuar mbrëmjen e së martës në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës pasi po lëvizte i armatosur. Kanë qenë lëvizjet e dyshimta të 28-vjeçarit që tërhoqën vëmendjen e banorëve të rrugës “Bilal Xhaferi” dhe më pas lajmëruan policinë. Në momentin e arrestimit atij iu gjet një pistoletë me 14 fishekë dhe për hetuesit arma do të përdorej për ekzekutimin e ndonjë personi.

 “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, falë marrjes së informacionit nga qytetarët dhe bashkëpunimit mes strukturave të DVP Tiranë e DVP Shkodër, është bërë i mundur parandalimi i një vrasjeje. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar për vrasje dyshohej se do të kryente një krim të rëndë në Tiranë. ”

Erkoçeviq është një emër i njoh për policinë pasi është dënuar me 20 vite burg për vrasjen e një personi dhe plagosjen një tjetri në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në maj të 2014-tës në ambientet e një lokali nate atje ku Erkoçeviq është konfliktuar me dy të rinj dhe më pas ka hapur zjarr në drejtim të tyre. Për pasojë mbeti i vrarë 23-vjeçari Indrit Ylli si dhe u plagos kushëriri i tij Jetmir Molla 26 vjeç.

Pas krimit Erkoçeviq i shpëtoi arrestimit, për tu prangosur më pas mbrëmjen e së martës në kryeqytet. I riu njihet edhe si bashkëpunëtor i ngushtë me bandën e Bajrave në Shkodër, anëtarët e së cilës janë arrestuar për disa ngjarje të rënda kriminale.

Sipas policisë në dy muajt e fundit falë bashkëpunimit me qytetarët janë kapur 38 persona që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri.

Tv Klan