Operacioni “ Lapraka” ka vënë në pranga tre persona, mes tyre dhe një i i dënuar më parë për vjedhje me armë, me pasojë vdekjen.

Të arrestuarit, A. D., 25 vjeç,  A. K., 45 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për vjedhje me armë, me pasojë vdekjen) dhe  F. C, 34 vjeçe, të tre banuese në Tiranë, kanë qenë në vëzhgim dhe ndjekje nga shërbimet e Antidrogës, pasi për ta disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin tregtonin në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe ambiente shkollimi droga të forta në formë dozash, në Laprakë, Rruga e Durrësit dhe tek Unaza e Re.

25- vjeçari me inicialet A.D, është ndaluar nga uniformat blu në rrugën “Teodor Keko” duke qarkulluar me mjetin e tij dhe gjatë momentit të ndalimit për kontroll ka hedhur në tokë një qese brenda të cilës ndodheshin 25 doza me heroinë. Policia ka ushtruar kontroll dhe në apartamentin e tij dhe janë gjetur dhe 20 doza heroinë.

Në vijimësi të operacionit janë lokalizuar në rrugën e “Durrësit” dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë të tij, shtetasi A.K. dhe shtetasja F.C. Nga kontrolli fizik shtetasit A. K. iu gjetën dy doza heroinë, ndërsa shtetases F.C. iu gjet në çantën e dorës një qese kokainë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 

51.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë;- 47 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë;  10.3 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë; peshore elektronike; mjet motor;  aparate celularë; automjet.

/tvklan.al