Një punonjës policie ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për ndalimin e një grupi trafikantësh droge në kryeqytet.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në zonën e Lundrës, në periferi të Tiranës.

Sipas informacioneve të marra në rrugë operative nga sektori kundër drogës , dyshohej se në afërsi të një karburanti pranë një qendre tregtare, shtetasit Klejd Myftarago, Klauden Muçogllava, W. H 18- vjeç nga Siria dhe disa persona të paidentifikuar, do të kryenin një shkëmbim të një sasie të konsiderueshme me lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sattiva.”

Policia organizoi shërbimet e krimeve të hapura të Komisariatit të Policisë nr.1 dhe Specialistë të Seksionit kundër narkotikëve civil me elemente të dukshëm (jelek) me mbishkrim “Policia”.

Në momentet e ndërhyrjes nga policia, shtetasi Klejd Myftarago, i cili drejtonte automjetin tip “Mercedes Benz” dhe pasagjer ishte shtetasi Klauden Muçogllava, kanë ndezur automjetin e tyre për t’u larguar, por janë neutralizuar menjëherë nga punonjësit e policisë.

Shtetasi W. H., i cili ishte  drejtues i automjetit tip “Chevrolet” pas thirrjes së punonjësve të policisë “Ndal Policia”, ka arritur të largohet me shpejtësi, duke dëmtuar njërin prej punonjësve të policisë si dhe automjetin me të cilin udhëtonte.

Policia arrestoi shtetasit :

  • Klejd Myftarago, 22 – vjeç, banues në Tiranë.
  • Klauden Muçogllava, 24 – vjeç, banues në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti tip “Mercedes Benz” , në pronësi të shtetasit Klejdi Myftarago.

Arrestimi i tyre u bë për kryerjen e veprave penale të “Kundërshtim i punonjësit të policisë ”, “Mosbindja ndaj urdhrit  të punonjësve të policisë”,  “Shkatërrim prone ” dhe “Dëmtime të tjera me dashje ”, parashikuar nga Nenet 236, 242, 150 dhe 90 të Kodit Penal./tvklan.al