“Nuk jam shëruar ende nga Covid-19”

Sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tire Alldervishi, e cila u denoncua në emisionin Stop në Tv Klan se i mori 8 mln lekë vajzës së një pacienteje të sëmurë me Covid kërkon lirinë. Përmes avokatëve të saj mbrojtës, 58-vjeçarja i ka kërkuar Gjykatës së Apelit që të lëre qelinë me argumentin se ajo ka kaluar pak kohë më parë Covid-19.

Sipas palës mbrojtëse, Alldervishi ka qenë e shtruar disa kohë në spitalin ku ajo punon, por nuk ka ende një tampon përfundimtar që tregon se ajo është shëruar plotësisht. Për këtë, sipas saj, ekziston rreziku që ajo mund të infektojë persona të tjerë në ambientet e paraburgimit, ku po mbahet e izoluar.

Gjithashtu avokati pretendon se pamjet e regjistruara që u transmetuan edhe në emisionin Stop janë kryer në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të merren si provë.

Por nga tjetër prokuroria ka zgjeruar hetimet, duke sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për të parë takimet që sanitarja zhvillonte me vajzën e pacientes, si dhe kontaktet që ajo mund të ketë patur me anëtarë të tjerë të stafit mjekësor, me të cilët mund të ketë bashkëpunuar.

Është sekuestruar edhe regjistri i shërbimit spitalor, për të verifikuar se cilët mjekë dhe infermierë punonin në turnin që shërbente 58-vjeçarja Alldervishi.

Tv Klan