3 infermierët dhe sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi” që dyshohet se bashkëpunonin me Tire Allëdervishin, për të përfituar para nga të afërmit e pacientëve të infektuar me Covid, u paraqiten në gjykatë. Skandali i korrupsionit u denoncua nga emisioni investigativ “Stop” në Televizionin Klan. Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela u futën në sallën e gjyqit, por zgjodhën të mos flisnin.

Kurse sanitarja Rukije Hoxhaj pas dy orësh seancë e mori guximin që të fliste para gjyqtares Merlika duke mohuar akuzat.

“Tirja s’mund të më bëjë shoqe me vete. Kam 37 vjet që punoj me ndershmëri…

Gjatë zhvillimit të seancës pati debate të ashpra mes prokurorit dhe avokatëve të 4 të dyshuarave. Prokuroria kërkoi arrest në burg. Mbrojtja kërkoi që të cilësohet i paligjshëm ndalimi dhe të vendoset për të pandehurat masë sigurie arrest në shtëpi ose hetim në gjendje të lire për shkak se kishin probleme shëndetësore dhe Sidorela Çela dy fëmijë të mitur.

Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë konstatuar se 4 të dyshuarat kanë fshirë bisedat në celularë që kishin me Tiren. Për këtë arsye Prokuroria i ka dërguar telefonat në laboratorin e Policisë Shkencore për të rikuperuar mesazhet.

Gjyqtarja Rexhina Merlika i la detyrë prokurorit që të kryhen veprime hetimore të thelluara për të zbuluar nëse ka edhe mjeke dhe kryeinfermiere të përfshirë në këtë skeme mashtrimi. Merlika i kërkoi organi të akuzës që të përcaktoje se cili ka qenë roli i secilës nga të dyshuarat, në këto raste.

Gjithçka u zbulua pas zbërthimit të celularit të sanitares Tire Allëdervishit që hiqej si infermiere. Ajo u denoncua nga vajza e një pacienteje se i kishte marrë 8 milionë lekë më qellim për t’i shërbyer.

Klan News