Rihanna gjithmonë i ka përqafuar rrënjët e saj në Barbados dhe tashmë ajo ka një titull të ri në vendin e saj.

Shërbimi Informativ i Qeverisë së Barbados njoftoi sot se Rihanna (emri i vërtetë i së cilës është Robyn Fenty) është emëruar Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe e Plotfuqishme.

Përgjegjësia e saj specifike në këtë post të ri do të jetë “promovimi i arsimit, turizmit dhe investimeve për ishullin”, gjë që ajo deri tashmë e ka bërë në rrjetet sociale.

Ajo ka përdorur Twitter-in për të kontaktuar me udhëheqësit nga Gjermania, Japonia, Finlanda dhe Zelanda e Re, duke iu kërkuar atyre të japin fonde për Partneritetin Global për Arsimin.

Sipas Daily Mail, këngëtarja me famë botërore , u emërua një nga ambasadorët kulturorë të Barbados në vitin 2008, për të ndihmuar në promovimin e turizmit, por titulli i ri ka një kuptim më të gjerë.

 “Është një krenari shumë e madhe të marr një titull të tillë prestigjioz në vendin tim të origjinës. Çdo banor i Barbados duhet të luajë rolin e tij në këtë përpjekje dhe unë jam e gatshme dhe e lumtur të marr përgjegjësinë time. Unë mezi pres që të punoj me Kryeministren Mottley dhe ekipin e saj për ta shndërruar Barbadosin në një vend më të mirë”

, tha ajo.

Kryeministri Mia Amor Mottley bëri njoftimin sot, duke deklaruar se

“Rihanna ka një dashuri të thellë për këtë vend dhe kjo reflektohet në filantropinë e saj, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe arsimit”.

“Ajo gjithashtu shfaq patriotizmin e saj në mënyrën se si ajo i jep përsëri këtij vendi dhe vazhdon të ruajë ishullin si thesar”,

shtoi Mottley./tvklan.al