Autoritetet shqiptare shpallën person të padëshiruar në Shqipëri eurodeputeten Eleni Theocharous, e cila mori pjesë në funeralin e Kostandino Kaçifas në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër. Ky vendim ndaj saj u dha pas shfaqjeve të përsëritura ekstremiste në territorin e Shqipërisë nga ana e eurodeputetes Eleni Theocharous.

“Prononcimet e saj që nxisin urrejtjen, cënimin e rendit kushtetues të vendit tonë, ngritjen e pretendimeve territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të mund të bëhen më në tokën shqiptare”,

deklaroi të shtunën Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Por kush është eurodeputetja qipriote, që funeralin e minoritarit Kostandino Kaçifas në Bularat e shfrytëzoi për të bërë thirrje nacionaliste, së bashku me ekstremistët e tjerë të ardhur nga Greqia në Shqipëri? Eleni Theocharous është 65 vjeç, me profesion kirurge dhe anëtare e partisë politike Lëvizja e Solidaritetit në Qipro. Ajo u zgjodh deputete në Parlamentin Europian në vitin 2009 dhe u rizgjodh në vitin 2014.

INCIDENTI ME AZERBAJXHANIN

Në Shkurt të vitit 2017, ndaj Theocharous u lëshua një urdhër – arresti ndërkombëtar nga Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit. Mandati i arrestit për eurodeputeten qipriote u paraqit nga Baku përmes Interpolit. Por, Interpoli refuzoi këtë kërkesë, duke bërë që eurodeputetja t’u shpëtonte prangave.

Arsyeja pse kërkohej arrestimi i Theocharous, Azerbajxhani tha në atë kohë se vizitoi zonën e Nagorno-Karabakh ilegalisht më 20 Shkurt 2017. Pas urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar ndaj saj, eurodeputetja qipriote Eleni Theocharous përsëriti të njëjtat fjalë sikurse në rastin e Shqipërisë: “

Nuk është hera e parë që kjo ndodh, është në nderin tim që një regjim diktatorial po më sulmon”.

Ekzaktësisht të njëjtat fjalë tha edhe ditën e shtunë pasi mësoi se në Shqipëri, ajo nuk mund të hyjë sepse është “person non grata”.

“Është një titull nderi të vihem nën targetin e një regjimi të korruptuar e diktatorial si ai i Edi Ramës në Shqipëri

, u tha mediave greke, duke shtuar se vendimi i autoriteteve shqiptare nuk mund të zbehë rezistencën e saj apo pasionin për të drejtat e njeriut dhe ruajtjen e Vorio Epirit.

Por çfarë nxiti konfliktin e saj me Azerbajxhanin dhe çfarë përfaqëson Nagorno-Karabakh që u bë “mollë sherri”?

Nagorno-Karabakh, e njohur edhe si Artsakh, është një rajon në jug të Kaukazit. Në fakt është një territor i diskutueshëm, por që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Pjesa më e madhe e këtij rajoni qeveriset nga Republika e Artsakh, që më parë quhej Republika e Nagorno-Karabakh. De Facto është një shtet i pavarur me shumicë armene. Azerbajxhani nuk ka pasur autoritetet politik në këtë rajon që nga ardhja e lëvizjes Karabakh në vitin 1988. Pas përfundimit të luftës në vitin 1994, përfaqësuesit e qeverive të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë zhvilluar bisedime paqësore të ndërmjetësuara edhe nga OSBE, për statusin e kontestuar të këtij rajoni.

Personat që hyjnë në zonën Nagorno-Karabakh, konsiderohen nga Azerbajxhani si hyrje ilegale, edhe pse ky rajon i lokalizuar në kufijtë azerë nuk qeveriset nga Baku zyrtar që prej vitit 1988. Qytetarët e vendeve të tjera që kanë vizituar këtë rajon të kontestuar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, janë futur në “listën e zezë” të azerëve. Në këtë listë gjenden 450 politikanë, gazetarë, akademikë e artistë.

Politikanë nga Azerbajxhani kanë kërkuar edhe që të diskutohet prania e Eleni Theocharous në Parlamentin Europian. Anëtari i Këshillit Politik të Partisë së Re të Azarbajxhanit, Vugar Rahimzade, njëkohësisht edhe gazetar, tha se prezenca e Eleni Theocharous në Parlamentin Europian është e turpshme. Sipas tij, eurodeputetja qipriote Eleni Theocharous inkurajon separatizmin dhe spastrimin etnik në atë rajon. “

Ky është një shembull i padrejtësisë dhe standardeve të dyfishta të Parlamentit Europian në raport me disa vende”,

u shpreh në atë kohë Vugar Rahimzade.

LIDHJE ME RUSINË?

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në Qipro, Eleni Theocharous mbështeti Nikolas Papadopoulos, i cili i bëri thirrje Bashkimit Europian që të heqë sanksionet kundër Rusisë, që ishin vendosur kur Moska nisi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.

Eleni Theocharous ishte e vetmja eurodeputete dhe vëzhguese e institucioneve europiane që merrte pjesë në të ashtuquajturat “zgjedhje presidenciale ruse” në Krime më 18 Mars 2018. Një projekt joqeveritar ukrainas për sigurinë e informacionit, nxirrte në pah se Eleni Theocharous kishte pasur më herët kontakte me Rusinë. Në vitin 2000, ajo kishte vizituar territorin e Republikës së Komit, nën varësinë e Federatës Ruse.

ARRESTIMI NË TURQI

Në Mars të vitit 2011, Eleni Theocharous u arrestua në Turqi nga ushtria turke, gjatë kohës që po zhvillonte vizitë në disa ndërtesa fetare në Qipro, në pjesën turke të ishullit.

DHJETOR 2016 – DEKLARATA NË SHQIPËRI

Në Dhjetor të vitit 2016, Eleni Theocharous ndodhej në Tiranë ku mbajti fjalën e saj në një aktivitet të organizuar nga PBDNJ. Edhe në atë kohë, eurodeputetja qipriote foli për Epirin e Veriut në tokë shqiptare, por deklarata e saj kaloi në heshtje. “

Gjendem mes greqizmit të Vorio-Epirit, i cili prek këto toka të shenjta të një vendi grek të lashtë që ka ngelur jashtë kufijve të shtetit grek

“, tha ajo.  

/tvklan.al