Antonio Conte mund të quhet “specialist i titullit kampion” në Itali. Tekniku 55-vjeçar u shpall kampion për herë të pestë në karrierën e tij si trajner në Serinë A.

Pas tre titujve me Juventusin dhe një titulli me Interin, Conte ia ka dalë ta fitojë edhe me Napolin.

Ky sukses, e fut në histori dhe e bën trajnerin e vetëm në Serinë A, që e fiton titullin kampion me tre skuadra të ndryshme.

Në deklaratën pas ndeshjes, Conte u shfaq shumë i lumtur, ndërsa deklaroi se ky është kampionati më i vështirë i fituar në karrierën e tij.

Ndër të tjera, tekniku italian u shpreh se i frikësohej edhe një zhgënjimi të mundshëm.

“Ishte e vështirë të mbërrije në stadium për shkak të turmës së madhe të njerëzve. Sinqerisht, më kaloi një mendim i vogël në kokë për mundësinë e një zhgënjimi, do të na kishte ndjekur për shumë kohë. Megjithatë djemtë ishin të jashtëzakonshëm. Kishte një presion të jashtëzakonshëm, por e përballuam ndeshjen në mënyrën më të mirë. Pa dyshim, ky është titulli më i vështirë në karrierën time, por edhe më sfiduesi. Të vish në Napoli pas një vendi të dhjetë dhe të përpiqesh të rindërtosh gjithçka, duke bindur edhe lojtarët më të mirë që t’i besojnë projektit, nuk ishte aspak e lehtë.

Të fitosh në Napoli është shumë e vështirë. Di Lorenzo, si edhe djemtë që fituan para dy vitesh, kanë vlera të rëndësishme, ndryshe nuk do të ndodhte të fitonin sërish në një hark kaq të shkurtër kohor. Fakti që Di Lorenzo, si kapiten, ngre trofeun e kampionatit për herë të dytë, ashtu si vetëm Maradona më parë, është diçka e jashtëzakonshme dhe e merituar. Aq më tepër në një situatë jo të lehtë, sepse ky nuk është një klub që e nis sezonin gjithmonë me objektivin për të fituar”, u shpreh Conte.

Për Napolin ky ishte titulli i katërt në histori të klubit dhe i dyti në tre vitet e fundit. /tvklan.al