Një tjetër aksident me pasojë vdekje ka ndodhur rreth orës 13:36, në aksin rrugor Fier – Lushnje, në vendin e quajtur “Rotondua e Kolonjës”.

Viktimë e kësaj ngjarje ka mbetur 55 – vjeçari me iniciale Q.Sh, banues në Lushnje.

Ai mësohet se ka humbur kontrollin e mjetit që drejtonte, një Volkswagen me targa AA 831 CM dhe ka përfunduar në kanal, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Aktualisht në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor dhe po kryen veprimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.

Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit një grua humbi jetën në Malësi të Madhe. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:30 në fshatin Boriç i Madh. Viktimë mbeti një 55 – vjeçare, e cila u përplas për vdekje nga një automjet.

Në kryeqytet, një grua u përplas nga një makinë në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në Rrugën “Sami Frashëri”, fatmirësisht pa marrë dëmtime serioze.

Në autostradën Tiranë – Elbasan dy automjete u përplasën me njëra – tjetrën. Në rrugën Fushë Krujë – Kamës, një furgon dhe një kamion patën të njëjtin fat. Ndërsa në autostradën Tiranë – Durrës një kamion u përmbys në mes të rrugës. Në të gjitha këto raste nuk raportohet për viktima apo të lënduar. /tvklan.al