Ceremonia do të mbahet virtualisht për shkak të pandemisë

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare do të nderohet me çmimin ndërkombëtar Neustadt për letërsinë e këtij viti. I njohur si shkrimtari që nëpërmjet letërsisë së tij ka prezantuar Shqipërinë, por mbi të gjitha shqiptarët dhe filozofinë e tyre në botë, Kadare do të tërheqë çmimin në mënyrë virtuale pasi ceremonia do të mbahet online me 16 Tetor për shkak të pandemisë. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti. Ju ftojmë të bashkoheni me ne dhe të shohim me krenari poetin dhe novelistin më të njohur të Shqipërisë teksa nderohet për arritjet e tij.”

I krahasuar me Kafkën, Orweel apo Gogol, Kadare u nominua për këtë çmim nga shkrimtarja dhe poetja bullgare Kapka Kassobova në vitin 2019.

Festivali Neustadt cilësohet si një nga ngjarjet më të mëdha të letërsie botërore dhe organizohet nga Universiteti i Oklahomës në bashkëpunim me World Literature Today.

Gjate këtij viti Kadare fitoi edhe çmimin Prozart 2020, dhënë nga Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “PRO-ZA Ballkan” për kontributin e tij në zhvillimin e letërsisë në Ballkan.

Tv Klan