Trump: New York nuk do të futet në karantinë

Kjo e diel shënoi bilancin më të rëndë të viktimave ditore nga koronavirusi në Spanjë. 838 pacientë humbën jetën në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e tyre në mbi 6500. Shumica dërrmuese e viktimave janë të moshuar. Mbi 6500 infektime të reja u shënuan këto 24 orë, duke e çuar pranë 80 mijëshit, numrin e të prekurve. Spanja ka kapërcyer edhe Italinë për nga ritmet e përhapjes së pandemisë.

Kjo e diel në Itali shënoi një numër më të ulët viktimash 756, duke e çuar totalin e tyre në afro 10 mijë e 800. Mbi 3800 janë të infektuarit e rinj për 24 orëshin e fundit, duke e çuar në afro 74 mijë numrin aktual të të infektuarve. Zyrtarët italianë të shëndetësisë thanë se ritmet e përhapjes tashmë janë stabilizuar dhe se mund të thuhet që vendi është pranë kulmit, që i paraprin normalizimit të situatës. Në gjithë Europën numërohen më shumë se 20 mijë të vdekur nga koronavirusi.

Shtetet e Bashkuara zunë vendin e parë për nga numri i të infektuarve, mbi 125 mijë, gjysma e të cilëve në Nju Jork. Pavarësisht kërkesës së guvernatorit Endrju Kuomo për vendosjen e qytetit në karantine, presidenti amerikan Donald Trump nuk e sheh të arsyeshme t’a ndërmarrë këtë vendim.

Një masë më e pranueshme për shefin e Shtëpisë së Bardhë është kufizimi maksimal i udhëtimeve brenda dhe jashtë Nju Jorkut. Mediat paralajmëruan se Nju Jorku mund përjetojë një situatë më të rëndë edhe se Uhani dhe Lombardia. Por Trump është kundër masave të ashpra, pasi i druhet zhytjes së ekonominë amerikane në recesion.

Mbi 33 mijë të vdekur dhe 516 mijë të infektuar numërohen aktualisht në gjithë globin. Ndërsa afro 148 mijë janë shëruar.

Tv Klan