Parkut të Madh të Liqenit Artificial i shtohet një tjetër kënd modern lojërash për fëmijë. Dy vite pas hapjes së këndit më të madh të lojërave në vend, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me TIKA-n, ka ndërtuar këndin e dytë më të madh, por kësaj here në një hapësirë që më parë ishte krejtësisht e degraduar dhe e pashfrytëzuar në pjesën jugore të Parkut të Liqenit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ambasadori i Turqisë në vendin tonë, Murat Ahmet Yörük, edhe nga përfaqësuesit turq të TIKA-s, falenderoi të gjithë ata që mundësuan krijimin e kësaj hapësire, që veç lodrave për fëmijë është i pajisur edhe me një kënd force për më të rriturit.

“E gjithë skuadra, si kolegët turq edhe ata shqiptarë, kanë bërë një punë me aq shumë dashuri, sikur secili ta kishte bërë për fëmijën e vet. Ju jam shumë mirënjohës të gjithëve, që keni kontribuar në çdo cep të këtij këndi fantastik, që me gjasë, pasi të hapet dhe ta marrë vesh gjithë mëhalla, do jetë një ndër vendet më të frekuentuara e të suksesshme në Tiranë”, tha Veliaj.

Ai u shpreh i kënaqur që në këtë mandat të parë e nisi punën me të ardhmen e qytetit dhe po e mbyll po me ta, si mënyra më e mirë për të siguruar që gjenerata e tjetër të rritet e shëndetshme dhe me të gjitha kushtet për t’u arsimuar. “Nuk besoj se kishte një mënyrë më të mirë për ta mbyllur këtë 4 vjeçar, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, se sa me një kënd lojrash për fëmijë. Ky është këndi ynë i 44. Pra, në rreth 44 muaj punë, kemi bërë nga një kënd në çdo muaj”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se edhe puna për fëmijët ka hasur shpeshherë në mentalitete që kanë dashur të bëhen pengesë, por pa ia dalë. Ai solli në vëmendje betejën që u bë për këndin tjetër të ndërtuar në Parkun e Liqenit, i cili tashmë është kthyer në vendin më të preferuar dhe të vizituar nga fëmijët, por edhe të rriturit që shfrytëzojnë mjediset sportive në të. “Mbaj mend kur filluam betejën për Tiranën me një tjetër kënd lojrash, në anën tjetër të Liqenit. Në dallim nga ky vendi këtu, i cili ishte kryesisht i zaptuar me ndërtesa informale, këndi tjetër ishte zaptuar nga një mentalitet informal. Aty ndoshta nuk kishte gjëra fizike që kishin bllokuar terrenin, por kishte një mentalitet që kishte bllokuar terrenin”, theksoi Veliaj.

Ai nënvizoi se puna e bërë me këndet e lojërave, çerdhet, kopshtet dhe shkollat, është një tregues i qartë se Bashkia e Tiranës në këto 4 vite punoi për gjeneratën e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme. “Mbaj mend edhe në ditët e para në Bashki, kur njerëzit thonin: – Ore ç’a pune kemi ne me kalamajtë? Kalamajtë as nuk votojnë, as nuk paguajnë taksa. Ndërkohë, pyetja që i bëmë vetes ishte: Tani do e ndajmë mendjen; ky qytet, ky vend, kjo bashki, do mendojë vetëm për zgjedhjet e ardhshme apo ndoshta duhet të mendojë për gjeneratën e ardhshme? Në qoftë se rritet një brez i ri, që mëson të luajë bashkë dhe kanë kujtime të bukura nga fëmijëria e tyre, ndoshta raca e ardhshme e shqiptarëve do bëhet pak më e mirë. Nuk besoj se kemi ndërtuar infrastrukturë, por kemi ndërtuar kulturën e një Shqipërise dhe një Tirane të re”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Gjithashtu, ai theksoi se përveç këtij këndi, e gjithë pjesa jugore e parkut ka pësuar një transformim total. “Ky cep konsiderohej pjesë e degjeneruar, i përkiste komunës Farkë, as nuk mendohej fare që do kishim një hapësirë kushtuar fëmijëve, për gjithë komunitetin e zonës së Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik, gjithë pjesa e autostradës jugore. Por, fakti që nga ora 5 e mëngjesit deri në 2 të natës vrapohet, shëtitet, dhe Liqeni është një nga kontribuuesit kryesorë të uljes së stresit, rritjes së cilësisë së jetës në Tiranë, duhet t’ju bëjë të gjithëve të ndiheni krenarë. Jam i bindur se me të njëjtin zell që e ndërtuam, me të njëjtin zell do ta mbrojmë dhe do ta mirëmbajmë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se puna e bërë në këtë mandat do të vijojë edhe në 4 vitet e ardhshme. “Mezi pres që në 4 vitet e ardhshme ta vazhdojmë këtë punë. Kur filluam pastrimin, të gjithë ashtu siç është bërë e udhës thoshin: Mos ma prek liqenin! Gjithmonë thoja: Ore dakord, kështu thoni, mos ma prek atë, mos ma prek sheshin, mos ma prek pazarin, mos ma prek bulevardin, mos ma prek parkun. Në këtë shtëpinë tonë të madhe, po të ishte për të mos prekur gjë me dorë, do ishte fyerje. Pikërisht, se vëmë dorë, prekim gjëra me dorë dhe i përmirësojmë, kemi sot një rezultat më të mirë”, u shpreh Veliaj.