Shkak Brexit dhe kontrollet midis Irlandës së Veriut e Britanisë

Bomba Molotov, fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të policisë. Kjo ishte skena e një tjetër nate të dhunshme në Belfast të Irlandës së Veriut.

Protestat arritën një shkallë dhune të paparë prej vitesh në Irlandën e Veriut. Protestat dhe dhuna vijnë në sfondin e rritjes së tensioneve politike midis besnikëve të qeverisë dhe fraksioneve nacionaliste si dhe masave izoluese për shkak të pandemisë së COVID-19.

Analistët thonë se në thelb të konfliktit qëndron Brexit, që ka prishur ekuilibrin delikat në krahinë. Në qarqet politike të Belfastit ka të pakënaqur që kërkojnë rikthimin e kontrolleve doganore midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

Me qëllim për të parandaluar kthimin e një kufiri fizik midis provincës britanike dhe Republikës së Irlandës anëtare të BE-së, kontrollet kryhen në portet e Irlandës Veriore.

Pavarësisht nga një periudhë tranzitore për të lejuar bizneset të përshtaten, rregullat e reja po prishin zinxhirin e furnizimeve dhe po denoncohen nga unionistët si një kufi fizik midis Irlandës së Veriut dhe Britanisë, dhe një tradhti nga Londra.

Në përpjekje për të ndaluar dhunën policia përdori makinat ujëhedhëse, hera e parë që një veprim i tillë ndodh në gjashtë vjet.

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe ai irlandez Micheál Martin folën në telefon për mënyrën se si mund të qetësohet gjendja. Për të diskutuar përshkallëzimin e dhunës, u thirr dhe një mbledhje e jashtëzakonshme e Asamblesë së Irlandës së Veriut.

ShBA-ja gjithashtu bëri thirrje për qetësi, me Shtëpinë e Bardhë që u shpreh e shqetësuar nga dhuna.

Klan News