Në Vlorë është shënuar një tjetër rast i fotografimit të votës, i dyti gjatë ditës së sotme.

Gazetari i Tv Klan, Erion Todhe, i cili sot është stacionuar në qytetin bregdetar, ka raportuar se një qytetar ka tentuar të fotografojë votën.

Nuk është e qartë nëse ka arritur ta fotografojë, pasi votuesi është pikasur nga komisionerët. Qytetari i identifikuar si Sh.Tare ka mundur të arratiset. Ai u largua me vrap duke mundur të shpëtojë.

Ndërkohë, komisionerët e qendrës së votimit në konviktin e shkollës industriale në Vlorë njoftuan policinë dhe Prokurorinë për rastin. Qytetari që tentoi të fotografonte votën është shpallur në kërkim policor. /tvklan.al