Në emisionin “Stop” në Tv Klan janë trajtuar shkurtimisht ngjarjet politike të ditës, për shkak të “Këngës Magjike” që nisi sonte me natën e parë.

Në insertet që Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj prezantuan, Kryeministri Edi Rama duket se ka korrur një tjetër sukses virtual ose për përdorimin e rrjeteve sociale. Në një renditje botërore për përdorimin e Twitterit dhe Instagramit nga liderët botërorë, Kryeministri shqiptar është renditur në vendin e 184 nga 428 profile në klasifikim.

Në një tjetër insert, Ministria e Kulturës u përpoq sot të jepte shpjegime për lajmin, se Serbia regjistroi si të sajën në UNESCO, lahutën. Në përgjigjen zyrtare, thuhet se nuk ka patur votim dhe se Shqipëria po negocion me Malin e Zi, që kjo vegël muzikore t’u njihet edhe vendeve të tjera të rajonit.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u ka përgjysmuar pagën deputetëve të opozitës për shkak të bojkotit të Parlamentit. Por, mësohet se Ruçi u ka njohur atyre shpenzimet për karburant dhe telefon. /

tvklan.al