Sllovaki, karantinë për të huajt e pavaksinuar

Mutacioni indian po gjunjëzon Rusinë. Kjo e diel shënoi një rekord të ri infektimesh për 6 muajt e fundit me mbi 25 mijë raste. 24-orëshi i fundit shënoi po ashtu 663 vdekje, niveli i tretë më i lartë i gjithë periudhës më shumë se 1-vjeçare të pandemisë.

Pavarësisht gjendjes kritike me të cilën po përballet vendi, Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar të rikthejë bllokadën kombëtare. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ngurrojnë të vaksinohen, pasi kohët e fundit është konstatuar shtim i personave që refuzojnë të imunizohen kundër Covid-19. Rusia ka ndër nivelet më të ulëta të vaksinimit në botë, 12% me dy doza, edhe pse është një ndër vendet prodhuese të vaksinave anti-Covid.

Në nivele të larta janë infektimet edhe në Britaninë e Madhe, një tjetër vend që është goditur nga vala e radhës e përhapjes së koronavirusit që po ushqehet nga varianti indian. Infektimet ditore për 24 orët e fundit ishin në mbi 24 mijë raste, ndërsa numri i viktimave është i pandryshuar dhe vijon të mbetet në kuota të ulëta falë vaksinimit masiv.

Sllovakia bëhet vendi i parë europian që vendos në karantinë të gjithë shtetasit e huaj të pavaksinuar që hyjnë në këtë vend. Synimi është të pengohet përhapja e mutacionit indian.

Tv Klan