Sherif Kallaku transferohet në Zagreb

Një tjetër futbollist shqiptar i është bashkuar grupit kuqezi te Lokomotiva e Zagrebit. Sherif Kallaku lë Teutën për t’u transferuar në Kroaci.

Durrsak njoftoi arritjen e marrëveshjes të transferimit të sulmuesit tek ekipi i Lokomotivës së Zagrebit dhe futbollisti pritet t’i bashkohet ekipit kroat ditën e premte. Fantazisti i Teutës, pasi të kryejë vizitat mjekësore, do të bashkohet me skuadrën në përgatitje për kupat e Europës.

Kallaku ka nënshkruar një kontrate 4-vjeçare. Vendimtar në këtë transferim të radhës të shqiptarëve është sërish Besnik Prenga, ish-futbollist dhe ish-trajner i Laçit. Skauti shqiptar ka dërguar te Lokomotiva edhe Myrto Uzunin, Jon Mersinajn, Enis Çokajn dhe Indrit Tucin. 

22-vjeçari Kallaku, i cili u shpall fitues i Kupës së Shqipërisë me Teutën, më parë ka qenë pjesë e ekipit Shpresa dhe me këtë transferim shpreson të kapë Kombëtaren e parë. Pas 2 vitesh me djemtë e detit, skuadër me të cilën dhuroi performanca shumë pozitive, Kallaku tashmë do të provojë eksperiencën e parë jashtë vendit.

Mësohet se Teuta do të përfitojë 150 mijë euro, duke ruajtur edhe të drejtat mbi 20% të kartonit të lojtarit në rast të një transferimi tjetër. Kallaku do të zëvendësojë Uzunin, pasi sulmuesi i ekipit kombëtar firmosi për Ferencvarosh në Hungari.

Tv Klan