Për të dytën ditë radhazi në brigjet italiane të Leçes kapet një tjetër skaf me drogë.

Në një tjetër operacion të përbashkët mes dy policive, asaj shqiptare dhe italiane është bërë i mundur sekuestrimi i plot 277 kilogramëve kanabis.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se droga u kap në San Cataldo të Leçes, ndërsa në pranga kanë përfunduar 4 persona, të gjithë shqiptarë, tre prej tyre rezidentë në Itali.

Të arrestuarit janë E.D, 39 – vjeç, banues në Vlorë, drejtuesi i Skafit, B.S, 29 – vjeç dhe A.M, 29 – vjeç, G.D, 39 vjeç, të tre këta të fundit nga qyteti i Vlorës, por rezidentë në Itali.

Policia sqaron se drejtuesi i skafit pritej në breg nga tre të ndaluarit e tjerë.

WhatsApp Image 2016-10-12 at 9.06.25 AM

Skafi, me një motor 125 kuaj – fuqi u ndalua gjatë pasdites së djeshme.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit sqarohet se mes saj dhe Policisë Italiane janë shkëmbyer informacionet në kohë reale dhe po vijojnë procedurat hetimore të përbashkëta për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikut  ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

*Po gjatë ditës së djeshme, në orët e para të mëngjesit, në një tjetër operacion të përbashkët mes policive fqinje u bë e mundur kapja e 734 kilogramëve kanabis në Torre Chianca – Leçe. Droga po transportohej me një gomone rreth 6 metra të gjatë, ndërsa në bordin e saj ndodheshin dy shqiptarë, të cilët u vunë në prangat e policisë italiane. /tvklan.al