29 viktima në Teksas, 9 të tjerë në Ohio

Shtetet e Bashkuara tronditen nga dy masakra me disa dhjetëra viktima brenda pak orëve.

E para dhe më e rënda ishte ajo në El Paso, në shtetin federal të Teksasit, ngjitur me kufirin meksikan. Agresori Patrik Krusius hyri në qendrën tregtare Ualmart me një automatik tip kallashnikov dhe qëlloi në drejtim të njerëzve. 20 persona mbetën të vrarë dhe 26 të tjerë u plagosën.

Motivi i ngjarjes së rëndë është racizmi. 21-vjeçari Krusius ishte pjesë e grupeve të supremacistëve të bardhë. Vetëm 20 minuta para sulmit ai kishte postuar online një manifest ku fliste për pushtimin hispanik të SHBA dhe mbështeste masakrën e Christchurch-it në Zelandën e Re.

Rrënqethëse është dëshmia e motrës së njërës prej viktimave për mediat amerikane. Xhordan Xhamsovksi humbi jetën me djalin 2-muajsh në krah. Sipas të motrës, ajo kishte përdorur trupin e saj si mburojë, për të shpëtuar të birin.

Vetëm pak orë pas terrorit të Teksasit, 9 persona mbetën të vrarë si pasojë e një sulmi në një bar në Ohaio. Policia qëlloi për vdekje njërin prej autorëve, ndërsa një tjetër dyshohet se është në arrati.

Presidenti Donald Trump i cilësoi sulmet një akt frikacak dhe shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjarët e tyre.

Tv Klan