Tjetër tragjedi në ujërat e Mesdheut. 117 emigrantë rezultojnë të zhdukur pranë brigjeve libiane. Barka e tyre e nisur nga Tripoli, u fundos vetëm pak milje në det të hapur. Në bordin e saj ishin 120 persona, mes tyre gra e fëmijë. Vetëm tre arritën të mbijetonin. Ata u shpëtuan nga roja bregdetare italiane dhe rrëfyen tragjedinë sapo mbërritën në portin e Lampeduzës. Sipas dëshmisë së të mbijetuarve, barka e tyre mori ujë pas më shumë se 11 orësh në det. Autoritetet italiane dhe ato libiane nisën operacionet e kërkimit për trupat e të mbyturve, por asnjë prej tyre nuk u gjet.

Pas ngjarjes reagoi edhe Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini, i cili akuzoi sërish vendet europiane për tragjeditë e njëpasnjëshme të ndodhura në ujërat e Mesdheut.

“Për sa kohë portet europiane qëndrojnë të hapur, për sa kohë është dikush që vazhdon të ndihmojë trafikantët, për fat të keq skafistët do të vazhdojnë të bëjnë biznes e të vrasin”,

tha Salvini.

Qëkurse ka ardhur në pushtet, Ministri i Brendshëm ka ushtruar një politikë të ashpër duke urdhëruar mbylljen e porteve italiane. Salvini akuzon vendet europiane se kanë braktisur Italinë dhe Spanjën në luftën kundër krizës së emigrantëve dhe trafikimit të paligjshëm të tyre.

Tv Klan