UEFA jep dritën jeshile, nga 2023 kombëtaret do garojnë në Nations League



Liga e Kombeve, kompeticioni i futbollit mes kombëtareve europiane i organizuar nga UEFA, duke nisur nga Marsi i vitit 2023, nuk do të luhet vetëm nga meshkujt, por edhe nga vajzat. Ekipet kombëtare të vajzave do të vendosen përballë njëra-tjetrës me synimin që të garantojnë një vend në finalet e Kampionatit Europian dhe Kampionatit Botëror, si edhe të pretendojnë trofeun e madh. 51 ekipet kombëtare për vajza që do të marrin pjesë do të ndahen në tre Liga, A, B dhe C, ku në Ligën A do të marrin pjesë 16 ekipe, Liga B do të jetë e përbërë po nga 16 ekipe, ndërsa në Ligën C, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të garojnë 19 ekipe. Në secilën prej këtyre ligave, do të krijohen katër grupe, ku skuadrat do të luajnë ndeshjet me sistem vajtje-ardhje.

Shqipëria do të njohë kundërshtaret e saj më 23 prill të vitit 2023, dita kur do të hidhet edhe shorti, teksa ndeshjet e Ligës së Kombeve për vajza do të nisin nga muaji Shtator i vitit 2023 dhe do të zgjasin deri në muajin mars të vitit 2024.  Në bazë të renditjes së UEFA-s, Shqipëria renditet aktualisht e 33-ta në klasifikimin e përgjithshëm dhe për këtë arsye do të jetë pjesë e Ligës C.

Në rast të një kualifikimi të Shqipërisë në Ligën B, ekipi kombëtar i vajzave do të marrë pjesë në eliminatoret e vlefshme për Kampionatin Europian për femra 2025. Kjo është një mundësi shumë e mirë për Shqipërinë e femrave, që vitet e fundit ka njohur rritje dhe ka arritur fitore të rëndësishme. Përmes kësaj skeme të re të UEFA-s, vajzat kuqezi do të kenë më shumë shanse për t’u kualifikuar në finalet e një Kampionati Europian, por edhe Botëror, pasi kjo skemë do të jetë në fuqi edhe për Kualifikueset e Kampionatit Botëror 2027 për femra.