Greqia është tronditur sërish. Një 39-vjeçar grek ka ndërruar jetë pasi është qëlluar me armë zjarri në makinë. Ngjarja ka ndodhur në Vari, në jug të Athinës.

Hetuesit thonë se viktima është një ish-boksier. Ai u qëllua me të paktën 10 plumba në sediljen e parë të pasagjerit ku po qëndronte.

Plagët ishin të rënda aq sa i riu humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Pista kryesore që po hetohet është ajo e larjes së hesapeve. I riu po shkonte në palestër në momentin kur ndodhi ngjarja.

Autorët i kanë bërë pritë dhe e kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi. 39-vjeçari ka qenë i dënuar për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2009 në Patra.

Kjo është ngjarja e dytë e rëndë kriminale në Athinë pa mbushur ende 24 orë. Të dielën u vra një 34-vjeçar shqiptar. Aristidh Papa u ekzekutua në një kafene./tvklan.al