Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar zyrarisht në gjykatë dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro dhe 4 personave të tjerë lidhur me dy raste të tjetërsimi pronash në jug të vendit. Goro është marrë i pandehur për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “fshehjes së pasurisë”.

Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku së bashku me Jerasimo Bashin, ish-Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki kanë ndërmarrë veprime të kundraligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.

Në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.

Gjatë hetimeve të SPAK dyshohet se Jorgo Goro të ketë fsheur një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 81 metra katrorë. Për këtë pasuri organi i akuzës dyshon se Goro e ka regjistruar në emër të një personi tjetër, por që posedohet nga ish-kryebashkakiu.

Krahas Jorgo Goros dhe Jerasimo Bashit në akuzë janë dhe pronari i pronës së bashku me dy ish zyrtarë të tjerë. Për këta të fundit, SPAK ka ngritur dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën ndërsa për pronarin përfitues rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve.

Hetimet e SPAK për këtë çështje u inciuan pas kallëzimit penal, të bërë nga Fredi Beleri. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka dyshon se Goro ka abuzuar me detyrën edhe në një rast tjetër duke e rënduar edhe më shumë pozitën e tij në përballjen me drejtësinë. Dy siërfaqet e tokës të cilat janë mbi 10 mijë metra katrorë, janë të sekuestrura nga SPAK.

Ndërsa për çështjen tjetër që dyshohet se është abuzuar me mbi 4 mijë metra katrorë tokë vijojnë hetimet. Vetë Goro i ka mohuar akuzat. Tashmë do të jetë gjyqtari i seancës parprake që do të vendosë fatin e çështjes. 

Klan News