Pasditen e sotme në emisionin “ Rudina” në Tv Klan ishte e ftuar drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, Zana Çela e cila foli mbi inagurimin e sallës së re dhe shfaqjes së parë kushtuar artistëve shqiptarë që kanë kontribuar me artin e tyre ndër vite.

Ekskluzivisht për “Rudina”, ajo njoftoi se TKOB ngre siparin e sezonit të ri ditën e nesërme për të gjithë artdashësit.

Rudina Magjistari: Për të nisur edhe me kalendarin, sepse e thash më herët, në përgjithësi jemi mësuar që të kemi një konferencë shtypi ku anonçohen sezoni i ri, çelja e sezonit të ri, premiera. Sot kemi eksluzivitetin për ta lajmëruar këtu për teleshikuesit, pikërisht shfaqjen e parë që nis sezonin.

Zana Çela: Po, siç edhe ti e the ne nisim nesër sezonin e ri artistik pasi shfaqjet e muajit Shtator ishin shfaqje dedikuar inagurimit të teatrit tonë. Nesër ne nisim kalendarin e këtij sezoni, pra Tetor- Dhjetor pikërisht me një koncert dedikuar figurës më themeluese, të parit dirigjent dhe të parit drejtor të Operas dhe Baletit, Mustafa Krantja, i cili në fakt ka dhe 100-vjetorin e lindjes. Pra është një simbolikë shumë madhështore dhe njëkohësisht ne nesër, anonçojmë faktin që Teatri i Operas është në vitin e 65 të lindjes së tij. Pra ne nesër shpallim njëkohësisht që viti 2021-2022 do të jetë Shtator 2021- Shtator 2022, është viti i 65-vjetorit të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku ne në të gjithë kalendarin vjeçar, një vend shumë të rëndësishëm do t’i kushtojmë pikërisht krijimtarisë së autorëve shqiptarë, interpretëve shqiptarë, pra do të jetë një vit i cili do t’i kushtojë një vëmendje shumë të veçantë autorëve shqiptarë, veprave nacionale.

Zana Çela shtoi se jo vetëm artistët që kanë dhënë kontributin ndër vite do të jenë të përfshirë, por edhe artistë bashkëkohorë./tvklan.al