Ekspertët: Shtresat e varfra preken më shumë

Të ardhurat për frymë u reduktuan me 323 euro për banor në fund të vitit 2020, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në total, të ardhurat mesatare vjetore për një person në Shqipëri arritën 4.459 euro, nga 4.782 që ishin në 2019-n.

Ekspertët e ekonomisë mendojnë se një peshë të konsiderueshme në këtë rënie e ka situata e pandemisë, e cila rriti numrin e të papunëve dhe uli fitimet e kompanive. Profesor Selami Xhepa thotë se shpresat e rikuperimet varen nga politikat që do të ndiqen jo nga hapja e vendeve të punës, por krijimi i tyre në sektorë cilësorë.

“Është një sfidë strukturore, nuk mund të prodhohet mirëqenie pa parë sektorë që janë cilësorë dhe kanë paga të larta që sjellin kontribut në ekonomi dhe në të ardhurat e familjarëve.”

Ekspertët thonë se kategoria më e prekur nga rënia e të ardhurave është ajo e familjeve të varfra.

“Ka dhe sektorë që rezultojnë me fitime, që kanë pozicione thuajse monopol në treg. Më të prekurat janë shtresat vunerabël nga kjo rënie dhe kryesisht informalët. Kemi 30% të tregut të punës të pa formalizuar.”

Në parashikimet e qeverisë, të ardhurat për një banor parashikohen këtë vit të kalojnë nivelin e vitit 2019-ë, duke arritur në 4.813 euro. Vetë prodhimi kombëtar i vendit vlerësohet të jetë tkurrur vitin e shkuar me 1 miliardë euro.

Tv Klan