Shqipëria e Kosova me rënie të çmimeve në konsum, kryesojnë renditjen

Inflacioni total ra në dy të tretat e vendeve të OECD-së duke qëndruar nën 3% në 14 prej vendeve anëtare të saj. Ai ra në tre të katërtat e vendeve të OECD dhe ishte nën 10% kudo, përveç Turqisë.

Sa i takon rajonit, vendi ynë renditet ndër ato vende me inflacionin më të ulët pas Kosovës e cila shënoi nivelin më të ulët në tre vitet e fundit të inflacionit, në 1.8% për muajin Janar, për t’ju rikthyer rritjes në Shkurt në nivelin 2.2%.

Norma vjetore e inflacionit në Shqipëri për muajin Shkurt ka rënë në 2.6%. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”, ndërkohë që rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë” me 4,9%.

Në Serbi norma e inflacionit ra në 5.6 për qind në Shkurt 2024 për shkak të kostove më të lira të ushqimeve, strehimit e shërbimeve. Nga ana tjetër, rritje pati për kostot e transportit.

Norma vjetore e inflacionit në Maqedoninë Veriore ra në 3% në Shkurt 2024, më e ulëta që nga Qershori 2021. Çmimet u ngadalësuan për ushqimet dhe pijet joalkoolike, veshjet dhe këpucët. Ndërkohë, çmimet u rritën më shpejt për banesat, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe lëndët djegëse të tjera.

Për muajin Shkurt, vlerësimi i Eurostat-it vuri në dukje një rënie të inflacionit në të gjithë Eurozonën në 2.6% ndonëse me një rënie të ngadalësuar të çmimeve të energjisë.

Tv Klan