169 pasagjerë të fluturimit të Ryanair pësuan momente paniku sapo aeroplani u ngrit në fluturim nga aeroporti i Bukureshtit në Rumani me destinacion Britaninë e Madhe. Në videot e postuara në rrjetet sociale, kabina e avionit filloi të mbushej me tym. Kjo situatë detyroi pilotin që të kthehej sërish në aeroport.

Incidenti ndodhi kur aeroplani ishte në një lartësi prej 5 mijë metra. Sapo mësoi se çfarë po ndodhte në zonën e pasagjerëve, piloti dha menjëherë alarmin në kullën e kontrollit të aeroportit, duke kërkuar leje për t’u ulur përsëri në pistë.

“Ishte përvojë traumatike”, tha një pasagjer. Të tjerë udhëtarë u ankuan se maskat e oksigjenit nuk u hapën pasi filloi të dilte tym. Pas kthimit sërish në aeroport, një pjesë e pasagjerëve refuzuan që të hipnin në një tjetër aeroplan të Ryanair për të vazhduar fluturimin drejt Britanisë.

Vetë kompania Ryanair reagoi përmes një deklarate për këtë incident, duke thënë se kishte ndodhur një problem i vogël teknik në sistemin e ajrit të kondicionuar. /tvklan.al