Një 16 vjeçar, autor i disa vjedhjeve, është arrestuar nga Policia e Tiranës, ndërsa në gjendje të lirë janë ndjekur dy të mitur të tjerë.

Policia ka bërë me dije se 16 vjeçari, së fundmi, kishte vjedhur një automjet dhe një shumë parash që ndodheshin në të.

“Në vijim të veprimeve, Policia zbardh dhe 9 raste të vjedhjeve të ndodhura më parë, të kryera nga 16- vjeçari, në bashkëpunim me dy të mitur që ndiqen në gjendje të lirë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 Kamzë arrestuan në flagrancë shtetasin e mitur A. XH., 16 vjeç, banues në Paskuqan, Kamzë. Si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit e mitur K. S., 16 vjeç dhe K. S., 13 vjeç, të dy banues në Paskuqan, Kamzë”.

Arrestimi dhe kapja e të mitur është bërë pas informacioneve të marra në rrugë operative se dy adoleshentë kishin vjedhur një automjet dhe ishin larguar në drejtim të qendrës së Tiranës. 16 vjeçari me ndihmën e dy të miturve kishte vjedhur automjetin tip Benz në pronësi të shtetasit K. O., brenda të cilit kishte një shumë parash, euro dhe paund.

Në momentin e bllokimit Policia gjeti dhe sekuestroi 165 paund, 360 euro, 30800 lek dhe një aparat celular.

Por këta persona janë autorë të dyshuar të disa ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Kamzës dhe në Tiranë, në vende dhe kohë të ndryshme, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dhe konkretisht:

Më 04.12.2018 kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit A. S.

Më 26.01.2019 kanë vjedhur sende personale në banesën e shtetases F. XH.

Më datë 06.02.2019 kanë vjedhur sende shtëpiake në banesën e shtetases F. Xh.

Më 11.04.2019 i kanë vjedhur 180 euro, orendi shtëpiake dhe sende personale me vlerë shtetasit E. M.

Më 20.09.2019 i kanë vjedhur portofolin me shumën prej 20 mijë lekësh të reja shtetases L. P.

Më datë 05.10.2019 kanë vjedhur 2 automjete në pronësi të shtetasit T. A.

 Më 13.11.2019 kanë vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit A. M.

Më 13.11.2019 në banesën e shtetasit L. H kanë vjedhur shumën prej 18 mijë lekësh dhe 750 euro.

Më 10.12.2019 kanë vjedhur 80 mijë lekë të reja në banesën e shtetasit Sh. Gj. /tvklan.al