Toka rrezikohet nga 878 asteroidë

Toka rrezikohet nga 878 asteroidë

13:24 12/09/2019

ESA, takime me parterët në Europë

Në 100 vitet e ardhshme, Toka është e rrezikuar nga të paktën 878 asteroidë. Të dhënat vijnë nga Agjencia Hapësinore Europiane (ESA), sipas së cilës impakti, qoftë edhe nga një asteroid i vogël mund të sillte pasoja të rënda.

Pikërisht për të ulur rrezikun e një përplasjeje të mundshme, ESA dhe disa grupe të tjera janë bërë bashkë për të kërkuar për asteroidët që rrezikojnë Tokën.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja DailyMail, ata po zhvillojnë gjithashtu një teknologji për ndryshimin e trajektores së tyre dhe përgjatë ditëve në vijim pritet që të diskutojnë për taktikat e mundshme, në disa takime që do të zhvillohen nëpër Europë gjatë kësaj jave.

Këto lëvizje vijnë pas paralajmërimit të NASA-s, se një asteroid më i madh se gradaçela Empire State Building do të kalonte pranë Tokës këtë javë.

Guri qiellor, i quajtur 2000 QW7, do të kalojë pranë planetit tonë të shtunën, me një shpejtësi mbi 23 mijë kilometra në orë.

Ndonëse me një distancë prej 5,3 milionë kilometrash nga Toka, kjo konsiderohet mjaft e afërt për ekspertët e NASA-s.

Asteroidi përllogaritet që të ketë një diametër mes 951 dhe 2,133 metra, që do të thotë se nëse do të ishte një ndërtesë në Tokë, do të mbante vendin e dytë si ndërtesa më e lartë në botë.

Burj Khalifa-Ndërtesa më e lartë në botë

Ndërkohë, në deklaratën e saj ESA tha: “Katalogu i ESA sjell bashkë të gjithë asteroidët që njohim dhe të cilët nuk mund t’i përjashtojmë që kanë ‘zero shanse’ për të goditur Tokën në 100 vitet e ardhshme, që do të thotë se impakti, i cili ndonëse ka pak gjasa që të ndodhë, nuk mund të përjashtohet”.

Takimi i parë do të mbahet në Romë gjatë 24 orëve të ardhshme, ku ekspertët do të diskutojnë planet e NASA-s për të përplasur anijen e saj kozmike DART me asteroidin 160 metërsh, Didymos-B.

Ndërsa përgjatë fundjavës ekspertët do të takohen në Mynih për të diskutuar asteroidin 2006 QV89, që kaloi më 9 Shtator.

Në fund, më 16 dhe 17 Shtator, në Darmstadt të Gjermanisë do të prezantohet një plan emergjence, ku marrin pjesë agjenci të mbrojtjes civile nga 6 vende, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto takime, sipas Agjencisë Hapësinore Europiane, kanë për qëllim që shmangin rrezikun e goditjes nga asteroidët, për t’u siguruar që të kapin në kohë rrezikun e mundshëm dhe për të përgatitur Tokën në rast të një goditjeje./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
UKT