Udhëtimi i parë i Papa Françeskut në Europë ishte pikërisht në Shqipëri më 21 Shtator 2014. Ai u prit në aeroport nga kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të Kishës Katolike.

“Është një vend që ka arritur të gjejë paqen pavarësisht ndryshimeve mes feve dhe kjo është një gjë e mirë dhe një sinjal për mbarë botën. Dialogu, paqja, ky ekuilibër është në favor të qeverisjes së vendit. Ju uroj një ditë të mbarë, tepër të ngarkuar, por lutuni edhe për mua. Faleminderit”, tha Papa Françesku gjatë udhëtimit në avion.

Ai mori nga kryeministri Edi Rama një kupë me dhe nga toka e shqipeve. Pas aeroportit, eskorta e tij u drejtua për në kryeqytet. Udhëtimi u shoqërua me praninë e dhjetëra mijëra qytetarëve që kishin mbushur rrugët e kryeqytetit, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza” për t’i uruar mirëseardhjen.

Ceremonia zyrtare u zhvillua në Presidencë, kur Papa u prit nga presidenti i ndjerë Bujar Nishani.

Ai la një mesazh në librin e miqve ku shkruante: “Popullit fisnik shqiptar, falenderim e mirënjohje për dëshminë e tij e për vëllazërimin për ta çuar përpara në paqe”.

Papa Françesku i dhuroi presidentit Nishani një kopje të Mesharit të Gjon Buzukut.

“Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit. Tokë martirësh që e kanë dëshmuar fenë në kohët më të vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, tokën e shqiponjave si dhe për pritjen tuaj kremtore. Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë që duhet ruajtur me shumë kujdes dhe vëmendje. E kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin mes anëtarëve të feve të ndryshme. Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt kur sheston e kryen akte dhune dhe mujshie. Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprime që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e tij themelore. Në radhë të parë në të drejtën e jetës dhe lirisë fetare të të gjithëve. Kjo që ndodh në Shqipëri tregon se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Është vlerë që duhet ruajtur dhe duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike të gatshme për dialog dhe bashkëpunim në dobi të të gjithëve duke e njohur dhe nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë që do t’ia lypim gjithmonë Zotit në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi. I lutem Marisë, nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji diktoftë mbi Shqipërinë, hirin dhe bekimin e vet”, shprehej Papa para të gjithë përfaqësuesve të politikës dhe të komuniteteve fetare të asaj kohe.

Pas takimit në Presidencë, Ati i Shenjtë përshkroi Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në Sheshin Skënderbej. Në një atmosferë festive ishin me mijëra qytetarët shqiptarë dhe pelegrinët që e përshëndetën atë. Gjatë përshëndetjes ai u ndalua disa herë për të bekuar disa fëmijë. Pasi përshkroi Bulevardin Papa u ndal në sheshin “Nënë Tereza” për të mbajtur Meshën e Shenjtë.

Papa Françesku u shua në moshën 88-vjeçare.

/tvklan.al