Rriten rastet e të infektuarve në Japoni, autoritetet zgjasin gjendjen e emergjencës

Japonia do të zgjasë gjendjen e emergjencës në kryeqytetin Tokio dhe në nëntë zona të tjera për shkak të pandemisë Covid-19 deri më 20 Qershor. Lojërat Olimpike Tokio 2020 nisin në 23 Korrik dhe përfundojnë në 8 Gusht.

Që prej një muaji, këto zona janë vendosur në një gjendje emergjence, ndërsa rastet e infektimeve me koronavirus rriten.

Autoritetet kanë vendosur që baret dhe restorantet të mbyllen herët dhe të ndalohet shitja e alkoolit.

Të shumtë janë qytetarët që kanë kërkuar që Lojërat Olimpike të anulohen. Madje ka pasur edhe protesta.

Organizatorët, kur duhen edhe 50 ditë nga nisja, mbeten të vendosur se aktiviteti i rëndësishëm sportiv të mbahet.

Gjendja e emergjencës pritej që të përfundonte në fund të majit në shumicën e zonave, por qeveria tha se ka nevojë për më shumë kohë që të kontrollojë një valë të katërt të infektimeve.

Ministri për reagimin ndaj pandemisë, Jasutoshi Nishimura, tha se numri total i infektimeve vazhdon që të jetë i lartë.

Organizatorët thonë se nëse respektohen me përpikmëri masat, atëherë sportistët dhe publiku do të jenë të parrezikuar.

Që nga shpërthimi i infektimeve, në Japoni janë regjistruar 730 mijë të infektuar dhe 12.500 vdekje.

Autoritetet kanë vaksinuar vetëm 6% të popullsisë me dozën e parë, ndërsa 2.3 janë vaksinuar plotësisht.

Autoritetet thonë se shkak i rritjes së numrave janë qytetarët, të cilët nuk po respektojnë masat dhe po grumbullohen në publik.

Klan News