“I dha mandatin me bojkotin e zgjedhjeve”

Ish–nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, thotë se përgjegjës për kandidimin e Valdrin Pjetrit në Shkodër, është edhe Lulzim Basha.

Në një status në Facebook, Topalli shkruan se mandatin Pjetrit ia dha kreu demokrat me bojkotin e zgjedhjeve. Ajo thotë se në Shkodër, qytetarët prej disa muajsh, tregojnë për dyshimet e thella të së kaluarës së komprometuar të Valdrinit, por Basha prej muajsh nuk foli.

“Edi Rama e çoi Valdrinin në Shkodër, por mandatin për Kryetar Bashkie të Shkodres ia dhe ti Lul, me bojkotin e zgjedhjeve. Po të kishte një kandidat të djathtë, Valdrini as në ëndër nuk shihte karrigen e Kryetarit të Bashkisë. Ti e fyeve Shkodrën njëlloj si Rama”.

Topalli e akuzon Bashën për pazare me qeverinë dhe se ndan me Ramën interesa të medha, çka ka çuar në deformimin e skenës politike shqiptare dhe në agoni të demokracisë brenda forcave politike.

“Po të mos ishte pazari si formë komunikimi mes krereve të opozites dhe qeverisë, sot skena politike shqiptare nuk do ishte e deformuar sicc është tani, sot shqiptarët nuk do jetonin në dëshpërim për shkak të vrasjes së perspektivës dhe mbytjes së shpresës që një opozitë normale sjell për vendin e saj. Luli nuk ekziston më për demokratët. Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur. Ata nuk mund të tolerojnë më, që 4 vetë të mbajnë peng jetën e tyre e të bijve të tyre”.

Për Topallin, Basha dhe Rama janë bërë një kosto e patolerueshme për Shqipërinë.

Tv Klan