Jozefina Topalli ka reaguar pas deklaratës së Lulzim Bashës, i cili pas humbjes në zgjedhje nuk dha dorëheqjen, por ngriu funksionet e tij, duke ia kaluar kompetencat nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të PD, që do të organizojnë zgjedhjet për kreun e kësaj force politike.

Në një postim në rrjetet sociale, Topalli e konsideron këtë vendim qesharak dhe antistatuor, fshehje sipas saj nga faji e përgjegjësia.

Topalli shprehet se përballë kësaj situate, PD ka nevojë për zot dhe thekson se nëse Basha nuk jep dorëheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike, me synim kthimin e PD -së demokratëve.

Rezultatin në zgjedhje, ish – numri dy i PD, e konsideron 

“humbje katastrofale personale të Lulzim Bashës”

.

Reagimi i plotë i Jozefina Topallit:

Në një kohë dramatike për Partinë Demokratike, pas një humbje katastrofale personale të Lulzim Bashës, ka një emergjencë për demokratët.

Partisë Demokratike duhet me i dal zot.

Në një situatë si kjo, kur Lulzim Basha nuk pranon të marrë as përgjegjësinë që i takon, siç ndodh në çdo vend të botës perëndimore, (pas e çoi buzë gremine PD), reagimi i tij është hileqar, tallje, tinzi, banalitet dhe papërgjegjshmëri e frikshme që mund të çojë në asgjësimin total të PD .

Në këto kushte nëse Basha nuk jep dorëheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike, me synim kthimin e PD -së demokratëve.

Ngrirja qesharake, antistatuore është akt amoral, është fshehje nga faji e përgjegjësia. Fyerje që i bëri demokratëve që kërkojnë të shpëtojnë nga asgjësimi Partinë për të cilën kanë punuar në vite është e paprecedentë dhe e pafalshme.

Sa për dinjitetin që kërkonte momenti, kjo s’ka lidhje me Lul Bashën. Ai ka qenë përherë i rremë. Edhe sot .

Ai është “i paaftë për t’u turpëruar.”

/tvklan.al