“Përballë 3 partive të mëdha më 25 Prill”

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, vendosi të rikthehet në politikën aktive, me një lëvizje të re, të quajtur si  “Lëvizja për ndryshim”.

“Nuk kemi kohë në fakt të presim”, tha ajo.

E vendosur për të mos heshtur më, Topalli deklaroi se në këtë mënyrë po i shpallte luftë politikës së vjetër duke shënjestruar krerët e tre partive kryesore.

“Deri më 25 Prill nuk do të resht së bëri beteja. Më 25 Prill ne të gjithë do të heshtim. Atë ditë do të flasin të gjithë shqiptarët. Do të vendosin nëse do të kemi përsëri një Shqipëri të Ramës, të Metës, të Lulit apo do kemi një Shqipëri të shqiptarëve”, tha ajo

Për daljen nga kriza politike dhe ekonomike, Topalli thotë se vendit i nevojitet një qeveri e dalë nga votat dhe një opozitë që nuk korruptohet për interesat e liderit.

“Ata të tre do të bëjnë çdo gjë për të mbajtur monopolin politik. Fushata ka filluar po me ata të tre që bashkohen bukur fort për të ruajtur karriget e veta dhe shantazhohen për llogari private ndërkohë që interesi publik është larg axhendës së treshes. Këta të tre veprojnë sikur Shqipëria është prona e tyre”, tha Topalli.

Nuk intimidohet e as frikësohet nga sulmet e ditëve të fundit të bëra ndaj lëvizjes për ndryshim, pavarësisht etiketimeve të mbërritura opozita.

“Sulmojnë, kërcënojnë, shpifin, për çdo lëvizje të re që është kundër kësaj kaste të korruptuar politike. Taktikë shumë e vjetër kjo. Është histori paniku. Gabojnë. Sa për mua më kujtojnë një histori të vjetër që isha e deklasuar, armike, tradhtare, kolaboracioniste dhe çfarë të doni tjetër mund të vendosni mbrapa. Por kjo në fakt është indikator i frikës se po i rrëshqet monopoli që kanë”, tha Topalli.

Kjo lëvizje e Topallit, vjen pas më shumë se tre vitesh nga lënia e saj jashtë listave te kandidateve për deputetë të Partisë Demokratike.

Tv Klan