Lulzim Basha e kujtoi 26-vjetorin e fitores së parë të demokratëve në zgjedhjet parlamentare me një foto nga festimet e 22 Marsit të vitit 1992, por ish-nënkryetarja e Partisë Demokratëve, Jozefina Topalli e akuzon se ka asgjësuar të djathtën. Përmes një postimi në Facebook, Topalli shprehet se pas më shumë se dy dekadash vendi ndodhet jo vetëm pa qeverisje, por edhe pa opozitë. Sipas saj, nën drejtimin e Lulzim Bashës, demokracia brenda Partia Demokratike është në rrezik.

“Brenda PD-së, forcës politike që solli votën e lirë, sot nuk ka më zgjedhje, nuk ka më forume, nuk ka më statut, nuk ka me debat, të gjitha janë farsë! Dhe kjo është vetëm njëra anë. Pas 26 vitesh, Lulzim Basha ka zhdukur jo vetëm të djathtën, por opozitën si garancinë kryesore të qytetarëve për t’i dalë zot lirive si dhe të drejtave të tyre ekonomike, politike e sociale”.

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike e fton Lulzim Bashën të bëjë transparencë dhe t’u përgjigjet akuzave për kontratat e lobimit.

“Sot më shumë se kurrë interesi publik, interesi i Partisë Demokratike kërkon që Lulzim Basha të bëjë transparencë për burimet, kanalet e parave të lobimit si dhe t’i përgjigjet çdo akuze që i bëhet nga brenda dhe jashtë vendit në lidhje me lidhjet e tij opake”.

Topalli i bën thirrje demokratëve të ngrihen për t’ i dalë zot partisë së tyre dhe i fton të bëjnë një reformë të thellë të forcave politike që ata të mos mbeten si pronë e titullarit. Pa i rikthyer Partinë Demokratike demokratëve dhe pa rikthyer opozitën në vend, Edi Rama – thotë – Topalli nuk lëshon karrigen e tij.

Tv Klan