Topi kërkesë Theodhori Sollakut për hetim mbi abuzimin e fondeve publike-(30 Dhjetor 2005)
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës të nisë hetimin me dosjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me abuzimin e fondeve publike, duke u shprehur gjatë një intervistë në të njëjtën linjë me qëndrimet e kryeministrit shqiptar për këtë çështje.
Bamir Topi: “Situata me prokurorinë është mjaft komplekse. Është vetëm një riakutizim i çështjes së prokurorisë dhe të kryeprokurorit, por ne si Parti Demokratike qoftë në opozitë, qoftë dhe në mazhorancë kemi adresuar kohë mbas kohe kritika të bazuara dhe për t’iu shmangur të gjithë atyre mendimeve që vijnë si pozicione politike, unë do t’i thoja që në prokurori do të mjaftonte vetëm dosja e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi bazën e raporteve vjetore që kanë ardhur në parlament vit mbas viti, ku abuzimet me fondet publike janë marramendëse dhe do të mjaftonte vetëm kjo për t’i treguar kryeprokurorit që kjo është detyra jote minimalisht për të mbrojtur fondet publike.”/tvklan.al