Mbi sipërfaqen e diellit krijohen tornado gjigandë, me përmasa sa të kontinentit Evropian. Masat e mëdha të gazit me temperaturë tejet të lartë që shtrihen për mijëra e mijëra kilometra në atmosferën e yllit tonë, krijohen nga fushat magnetike dhe kohëzgjatja mund të jetë disa minuta.

Shkencëtarët kanë arritur t’i vëzhgojnë falë spektometrit Ibis, që është i instaluar pranë teleskopit diellor DsF në New Mexico në SHBA.

Ekspertët shpjegojnë se këta tornado lidhin shtresa të ndryshme të atmosferës së Diellit, duke shërbyer edhe si kanale për transportimin e energjisë drejt pjesëve të jashtme.

Imazhet e mbledhura kanë bërë të mundur që studiuesit të realizojnë një hartë tredimensionale të fushave magnetike që lëvizin në brendësi të tornadove diellorë.

Ky studim ka një rëndësi thelbësore për të kuptuar mekanizmat e ngrohjes së këtyre shtresave të atmosferës dhe ndikimin në përshpejtimin e erës diellore, që ka një influencë të madhe mbi Tokën.

Klan Plus