“Torturat kanë qenë çnjerëzore, nuk kam menduar asnjëherë se do shpëtoj” (Video Arkiv) – TV KLAN

“Torturat kanë qenë çnjerëzore, nuk kam menduar asnjëherë se do shpëtoj” (Video Arkiv)

Intervista e Albin Kurtit 2 javë pas lirimit nga burgjet serbe

Albin Kurti, një nga figurat simbol të qëndresës kosovare, ish-kryetar i Unionit Studentor të Prishtinës, i arrestuar, i burgosur dhe dënuar nga gjykata e Millosheviçit, ishte një prej të ftuarve të emisionit “Opinion” në vitin 2002. Rreth 2 javë pas lirimit, më datë 29 Janar të vitit 2002 Kurti ka dhënë një intervistë përballë gazetarit Blendi Fevziu nga ku rrëfen angazhimin e tij në protesta, të cilat çuan edhe në burgosjen e tij.

“Unë jam arrestuar më 1 Tetor të 1997. Ne kishim vendosur të marshonim në qytet, por pasi ecëm rreth 300 metra na ndaloi kordoni i policisë serbe me rreth 500 policë, të cilët bllokuan marshimin. Na dhanë ultimatum që të shpërndaheshim për 15 minuta, por ne nuk kishim ndërmend ta bënim një gjë të tillë. Kur autoblinda e policisë serbe filloi të nisej në drejtimin tonë atëherë ne u ulëm në rrugë vendosëm të rezistonim. Atëherë policia filloi të përdorë gaz lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe dhunën brutale. Më pas u arrestuam unë dhe disa të tjerë dhe na dërguan në stacionin policor. Na mbajtën disa orë dhe na liruan për shkak të presionit të ndërkombëtarëve dhe jo bujarisë së serbëve. Më vonë kam pasur keqtrajtime gjatë protestave dhe demonstratave deri më datë 27 Prill të 1999 kur u arrestova sërish. Mbaj mend që ditën që filluan bombardimet e NATO-s unë kam pasur ditëlindjen dhe ditëlindja festohej me bombardimet kundër të ashtuquajturës Jugosllavi. Pas arrestimit më kanë dërguar në burgun e Prishtinës për 5 ditë, më pas në Lipjan për 1 muaj. Ka qenë burgim si në kamp, torturat kanë qenë çnjerëzore dhe të gjitha këto kanë bërë që të jetë kamp përqëndrimi.

Serbët nuk kërkonin asgjë, por i keqtrajtonin pengjet në shenjë hakmarrje. Asnjëherë nuk kam llogaritur se do shpëtoj. Kur më transferuan në burgjet serbe, torturat kanë vazhduar jo vetëm ndaj meje, por edhe pengjeve të tjerë. Në burgjet e tyre shqiptarët kanë qenë të ndarë dhe kushtet ishin vetëm për mbijetesë. Pavarësisht vuajtjeve, shqiptarët kanë qëndruar të fortë dhe nuk kanë lejuar që të thyhen. 6 muaj pas qëndrimit në burgjet serbe kemi filluar të marrim gazetat serbe. Në gjyq jam dënuar me 15 vite burg dhe nuk mendoja se do të lirohesha. Unë qëndroja në burg, e dija që kisha të bëja me një armik mizor dhe nuk kam menduar se kur do më lironin. Unë mendoja se ata do të bënin skenare të ndryshme që do të kishin të sigurt vdekjen time. Për lirimin tim kanë bërë presion institucione të ndryshme ndërkombëtare, por dëshira ime ishte që të liroheshim të gjithë. Duke më liruar mua ata kanë bërë një të mirë të vogël, por një të keqe të madhe duke i zgjatur robërinë të tjerëve”, tha Kurti.

Gjatë intervistës ai foli edhe për lidhjet me UÇK-në dhe Adem Demaçi.

“Kjo është hera e parë për mua që vij në Shqipëri dhe në Tiranë legalisht. Dy herë të tjera që kam ardhur nuk kam qenë legalisht. Herën e parë kam qenë në vitin 1991 sepse kisha lexuar dhe menduar shumë për Shqipërinë, por nuk e kisha parë. Isha vetëm 16 vjeç. Herën e dytë kam qenë në vitin 1993 dhe qëllimi ishte të studioja në Universitetin Politeknik, por për shkak të ndryshimit të programeve mes dy Universiteteve duhej të jepja shumë provime shtesë dhe nuk e vazhdova. Unë kam qenë i interesuar për politikën duke qenë se Kosova ishte e okupuar. Robërimi i egër ishte ai që më shtyu mua që të mendoja për forma të ndryshme të cilat do të na mundësonin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në Qershor të 1997-ës vura kontaktet me Unionin e Pavarur të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Biseduam për format e ndryshme të organizimit të jetës në Kosovë që do të paraqiste për herë të parë format e rezistencës aktive sepse në Kosovë mbretëronte heshtja, që nënkuptonte adaptimin në kushtet e robërisë. Filluam të organizoheshim në kuadër të Unionit të Pavarur të Studentëve për krijimin e një lëvizje të vërtetë që do të fillonte me protesta dhe demonstrata kundër regjimit fashist të Millosheviçit.

Qëllimi ynë ishte lirimi i hapësirave universitare që ishin të robëruara, nuk e arritëm këtë, por për herë të parë nuk ishim më objekt i ngjarjeve që ndodhnin në Kosovë, por edhe ne shkaktonim ngjarje. U bëmë subjekt që vendoste për Kosovën. Në protesta nuk kanë marrë pjesë vetëm studentët, por edhe mësimdhënësit. Kemi qenë të pavarur në organizimin e protestave, kemi pasur kontakte me UÇK, por e kemi ruajtur pavarësinë tonë. UÇK na ka përkrahur sepse ne paraqisnim një lëvizje të pakontestueshme dhe bënim riaktivizimin e qytetarëve që deri në atë kohë kishin qenë të fjetur. Kjo ishte në favor të UÇK. Kontaktet me UÇK i kemi nisur në vitin 1997 kur UÇK për herë të parë doli publikisht. Adem Demaçi në Gusht të 1998 u bë përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK dhe vendosi të themelojë një zyrë në Prishtinë. Ky ishte një hap i guximshëm që avanconte shumë politikën e UÇK. Ai më ofroi mua të bëhesha sekretar dhe unë pa asnjë dilemë pranova sepse është vizionar politik dhe simbol i rezistencës tonë kombëtare”, shtoi Kurti.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione