Klubi e ka larguar për shkak të rezultateve të dobëta

Jose Mourinho nuk është më një trajner i Tottenham Hotspur. Rezultatet e dobëta të skuadrës londineze në 17 muajt e drejtimit të portugezit kanë detyruar drejtuesit e lartë të klubit anglez që të marrë masa për 58-vjeçarin.

Eliminimi nga Europa League duket se ka dhënë edhe verdiktin final për Murinhon, i cili tashmë duhet të vihet në punë për të gjetur skuadrën e tij të re. Portugezi zëvendësoi Maurizio Pochetinon në Nëntor të vitit 2019.

Tottenham firmosi me Murinhon për ta çuar klubin në një tjetër nivel, megjithatë ish-trajneri i Interit dhe Real Madrid nuk bëri diferencën duke zhgënjyer drejtuesit për të mos marrë asnjë trofe.

Aktualisht Tottenham gjendet në vendin e shtatë në kampionat, duke marrë dy pikë në tre ndeshjet e tyre të fundit në Premier League.

Këtë fundjavë, gjelat sfidojnë Manchester City në finalen e Karabao Cup. Ende nuk ka një emër konkret të pasuesit të tij në stolin e Tottenham, diçka që do konkretizohet në orët e ardhshme.

Klan News