Bashkëshorti i të ndjerës, Fatos Xheta, është personi i akuzuar për këtë krim. Sipas hetuesve britanikë, 46-vjeçari kishte qëlluar disa herë me thikë gruan e tij përpara se të godiste veten. Fatosi mundi të shpëtonte, dhe tashmë është i arrestuar si i dyshuar për vrasje.

Prokurori tha se plagët e shkaktuara nga goditjet me thikë në qafën e viktimës, ishin vdekjeprurëse. Gjykata e Oxford tha se Fatos Xheta kishte vrarë gruan pasi dyshonte se ajo e kishte tradhtuar.

Përreth shtëpisë së çiftit u gjetën edhe disa shënime, njëra prej të cilave në gjuhën shqipe, ku shkruhej: “Tradhëtia zgjidhet vetëm me vdekje”. Gjatë seancës gjyqësore u dëshmua gjithashtu se burri kontrollonte dhe monitoronte vazhdimisht gruan e tij disa muaj para vrasjes për shkak se dyshonte për tradhti. Madje ai kontrollonte edhe profilin e Safies në Instagram.

Në orët e para të 17 Qershorit, kur dhe ndodhi krimi, Fatos Xheta u kishte dërguar mesazh të afërmve të tij, duke u thënë që vizitonin shtëpinë e çiftit. Personat që mbërritën aty, e gjetën të hapur derën e banesës, ndërsa dhoma e gjumit ishte e kyçur nga brenda. BBC raporton se Fatos Xheta u bërtiti të afërmve të tij nga dhoma e gjumit, duke u thënë se ishte në gjendje të keqe, ndërsa për Safie Xhetën u tha se kishte shkuar në punë.

Policia britanike që shkoi në vendngjarje, hyri me forcë brenda dhomës së gjumit dhe gjeti Fatos Xhetën të plagosur dhe Safie Xhetën të vdekur të shtrirë pranë tij.

Fatos Xheta mohon akuzat për vrasjen e gruas, teksa gjyqi vijon ende.

46-vjeçari u transferua nga Italia në Britani të Madhe në Gusht të vitit 2018, ndërsa bashkëshortja e tij shkoi aty dy muaj më vonë. Çifti punonte në fabrikën e Mini Cooper në qytetin e Oxford. /tvklan.al