Policia italiane ka shkatërruar një rrjet italo-shqiptar të trafikut të lëndëve narkotike dhe të armëve. Operacioni i koduar me emrin “Illiria”, u drejtua nga Prokuroria e Barit në bashkëpunim me Guardia di Finanzan dhe anti-mafian.

Grupi kriminal akuzohet për trafik droge dhe armëve nga Shqipëria kryesisht nëpërmjet detit dhe me destinacion Italinë. Nën cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 1.2 ton marijuanë, 20 kg substanca holluese të drogës, nga 1 kg kokainë e heroinë, 4.5 kg tritol, 1 kallashnikov, një sasi e konsiderueshme plumbash dhe disa detonatorë eksplozivi.

Në krye të rrjetit të drogës ishte 47-vjeçari shqiptar me pasaportë italiane, Roland Lame, i cili u kishte shpëtuar prangave në një operacion të mëparshëm të anti-drogës. Ishte pikërisht Lame, së bashkë me djalin e tij Fabio Lame, 25-vjeç, ai i cili mbante kontaktet me trafikantët në Shqipëri dhe organizonte ardhjen e marijuanës në Pulja.

Në pranga ranë gjithashtu edhe korrierët, 5 italianë dhe 1 shqiptar, të cilët po udhëtonin drej Brindisit, ku do të merrnin sasinë e madhe të drogës. Autoritetet italiane njoftojnë se banda e narko-trafikut ishte zhvilluar shumë së fundi dhe kishte e orientuar vëmendjen drejt kokainës, që vinte nga Holanda. Anëtarët e bandës mësohet se përdornin edhe një gjuhë të koduar, për t’i shpëtuar policisë.

Hetimet rreth këtij grupi kriminal janë të lidhura me një tjetër operacion të vitit 2013 ku u sekuestruan 100 kg marijuanë dhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë.

Tv Klan