Policia arreston 5 persona. Sekuestrohen katër automatikë dhe 5 pushkë

“Një grup prej pesë personash u arrestuan nga policia e Tiranës si të dyshuar në përfshirjen e trafikut të armëve dhe municioneve nga Shkodra drejt kryeqytetit.”

Ky është momenti kur agjentët e policisë vunë në pranga 4 djem dhe një vajzë në një parking në Rrugën e Rinasit. Të moshës nga 18 deri në 26-vjeç, të rinjtë u kapën në flagrancë me 9 armë zjarri (4 automatikë, 5 pushkë), krehra e municion luftarak.

Nga verifikimet e kryera rezulton se këta persona pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për t’i shitur tek persona të tjerë. Të rinjtë po lëviznin me dy automjete. Në makinën e parë, tip Golf qëndronin dy persona, që kishin rol monitorimin e rrugës dhe lëvizjet e patrullave të policisë. Ata ishin Denis Hasaj dhe Denisa Halilaj, kjo e fundit ish-punonjëse e Drejtorisë së Burgjeve.

Në automjetin tjetër tip BMVV, ndodheshin tre të ndaluarit e tjerë, Redi Nika dhe Sabian e Mirjan Hasaj. Ky i fundit drejtonte automjetin ku mbaheshin armët. Në bagazhin e kësaj makinë u gjetën 9 armët e zjarrit dhe municioni luftarak. Armët sipas burimeve, synoheshin të shiteshin tek një grup kriminal me bazë në Tiranë.

Mirjan Hasaj, nga verifikimet rezulton me precedent të mëparshëm penal, në fushën e narkotikëve.

Për këtë rast reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Në rrjetet sociale, Balla shkruan se goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo ndalimi i personave që qarkullojnë të armatosur janë detyrë kryesore e policisë.

Klan News