7 shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë italiane mëngjesin e kësaj të premteje, pasi akuzohen për trafik droge nga Shqipëria drejt vendit fqinj.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve Ansa, operacioni i autoriteteve policore të Riccione, në Rimini të Italisë, nën drejtimin e prokurorisë së Bolonjës, çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal shqiptar, aktiv në rivierën romanjole, i specializuar në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Të arrestuarit, sipas mediave fqinje, e kryenin aktivitetin e tyre kriminal me anë të një avioni të vogël, për të transportuar lëndën narkotike nga brigjet shqiptare. Gjatë hetimeve, autoritetet italiane mësohet se kanë sekuestruar sasi të mëdha kokaine, marijuane dhe hashashi.

Për rastin reagoi edhe Policia Shqiptare, e cila sqaroi se bëhet fjalë për një operacion të nisur në vitin 2015 dhe se këtë të premte janë zbatuar urdhër-arrestet ndaj 7 personave, të cilët kishin apeluar vendimin e autoriteteve italiane.  

“Lidhur me lajmin për operacionin antidroge në Itali, rezulton se është procedim i disa viteve me parë dhe po zbatohen fletë arrestet e Prokurorit të DDA së Bolonjës pas apelimit që kishin bërë 7 prej personave të akuzuar në 2015. 

Operacioni është i vitit 2015, i koduar “Free-Flight”, operacion ky i zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Shqiptare”

, thuhet të një reagim të Policisë së Shtetit.

Operacioni “Free Flight”-Gusht 2015

Të paktën 9 persona përfunduan në prangat e autoriteteve italiane më 26 Gusht të 2015-s, një operacion i zhvilluar në bashkëpunim me autoritete Shqiptare. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Vilson Lamaj, personi që drejtonte avionin e vogël dhe konsiderohej si “koka” e kësaj bande. Ai u arrestua në një pistë në Bolonja, ndërsa ishte nisur nga Vlora. Në avion atij iu gjetën 130 kilogramë marijuanë.

Gjatë operacionit në Gusht të 2015-s, policia italiane sekuestroi mbi 3.5 kuintal marijuanë dhe një sasi kokaine.

Në atë kohë, mediat italiane raportonin se Lamaj planifikonte që të blinte një avion më të madh dhe të tentonte fatin edhe në botën e prostitucionit. Banda merrej gjithashtu edhe me grabitje banesash. 

/tvklan.al