21 të pandehur ne gjyq, zbulohet mënyra si vepronin

21 persona janë marrë të pandehur nga SPAK për trafik droge në Shqipëri dhe në Itali. Prokuroria bën me dije se grupi kriminal me drejtues, Gernard e Emirjan Beun si dhe Braniol Liçon merrej me tregtimin e drogave të ndryshme si: kokainë, heroinë dhe marijuanë.

Ndërsa, si pjesëmarrës në këtë grup kriminal që kanë bashkëpunuar me drejtuesit e grupit dhe me njëri tjetrin, janë identifikuar 18 persona të tjerë, të cilët në vende dhe në periudha të ndryshme, kanë kryer aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike.

Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim dhe është zhvilluar në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.

Në bazë të rezultateve të hetimit është bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.

Po në kuadër të këtyre hetimeve SPAK, ka vënë në sekuestro pasuri me vlerë 1 milion Euro, që dyshohet se kanë origjinën nga ky aktivitet.

Gernard e Emirjan Beun janë vëllezrit e Florinda Beu e cila u dënua për korrupsion së bashku me ish-zëvëndësministren e Brendshme, Rovena Voda.

Klan News