Një rast i trafikut të lëndëve narkotike është goditur nga policia në qytetin e Durrësit gjatë aksionit “Kritikal”. Në pranga ka rënë 42-vjeçari me iniciale E.B. nga Tirana.

Ky i fundit u kap në mbikalimin e Pleplave duke transportuar me makinën tip Porsche lëndë narkotike. Në bagazhin e makinës u gjetën 77 pako me marijuanë çokollatë, me peshë 30.6 kilogramë.

Në pranga ka rënë edhe një person tjetër me iniciale F.C., i cili drejtonte makinën tip Audi dhe që pas verifikimeve rezultoi se është bashkëpunëtor i 42-vjeçarit E.B. dhe shoqëronte këtë të fundit duke e informuar nëse kishte patrulla policore.

Nga hetimet ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike të kapur nuk është prodhuar në Shqipëri, por është trafikuar nga një vend tjetër. Ndër të tjera policia sekuestroi edhe 3600 Euro, 2 automjetet dhe 6 celularë.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.  /tvklan.al