Prokuroria e Posaçme çon në gjyq 3 persona

Për disa vite me radhë, një grup kriminal u cili drejtohej nga shtetasi Flori Pali dhe që vepronte në Norvegji në fushën e trafikut të kokainës dhe kanabisit, futi në Shqipëri miliona lekë cash nga pikat kufitare dhe nëpërmjet transfertave bankare.

Pali bashkë me dy të tjerë u dërguan të pandehur në Gjykatë nga SPAK për disa akuza mes të cilave trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

Vlerat monetare, sipas Prokurorisë së Posaçme, ishin krijuar nga veprimtaria kriminale e para vitit 2018 ushtruar nga Flori Pali me bashkëpunëtorët e tij dhe u sollën në Shqipëri nga anëtarë të grupit, siç është e pandehura tjetër e SPAK, Anita Adilaj.

SPAK thotë se Adilaj, ka patur një rol kyç edhe sa i takon dërgimit të parave nga Norvegjia për në Shqipëri, teksa Fredi Pali, i pandehuri i tretë, vëllai i të akuzuarit si drejtues Ii këtij grupi, ka kryer një rol të rëndësishëm në ciklin e qarkullimit të parasë me qëllim humbjen e gjurmëve dhe fshehjen e tyre.

Referuar hetimeve, Flori Pali në bashkëpunim edhe me dy të pandehur të dënuar në Norvegji, Halit Xhini dhe Steven Cooper, kanë drejtuar trafikimin për në Norvegji, ruajtjen, shitjen dhe shpërndarjen në mënyrë të kundërligjshme të paktën sasinë prej 4 kg kokainë dhe 10 kg marjuanë.

Hetimet u kryen në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze.

Tv Klan