Policët shkulnin bimën narkotike para se të monitorohej zona

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore e kultivimit të kanabisit në Skrapar, ku Prokuroria e Posaçme lëshoi 23 urdhër arreste mes të cilëve zyrtarë lokalë dhe punonjës policie. Sipas dosjes hetimore, anëtarët e këtij grupi, për kultivimin e kanabisit punësonin emigrantë nga Lindja e Mesme.

Sipas hetimeve të prokurorisë ka rezultuar se trafikantët, kanë ngritur një infrastrukturë të mirëfilltë për kultivimin e kanabisit që nga sistemi i vaditjes e deri tek ngritja e çadrave ku qëndronin punonjësit, shumica e të cilëve ishin emigrantët sirianë.

Sipas SPAK, 4 punonjësit e policisë të vënë në pranga dhe zyrtarët vendorë kanë qenë personat kryesorë për kultivimin e kanabisit në zonën e Skraparit. Sipërfaqet e mbjella me kanabis janë zbuluar nga të dhënat në terren, por dhe nga monitorimi nga ajri i Guardia di Finanzës duke zbuluar 28 parcela.

Në një prej bisedave të përgjuara nga SPAK, një prej punonjësve të policisë, tashmë i arrestuar, sapo mësonte nga eprorët për monitorimet nga ajri së bashku me një kolegun e tij shkonte dhe shkulte rrënjët me kanabis. Një ditë më parë gjykata vendosi masën e arrestit deri në përfundimin e hetimeve për 16 persona, 4 në arrest shtëpie dhe 3 në detyrim paraqitje.

Tv Klan