Nëse tentativa nuk do të kishte dështuar, do të ishte një nga arratisjet më spektakolare. Rasti i një trafikanti të dënuar droge në burgun e Rio de Janeiro ka bërë xhiron e botës. Clauvino da Silva 42 vjeç ishte maskuar si vajza e tij 19-vjeçare për t’u arratisur nga burgu.

Autoritetet braziliane publikuan një video ku shfaqej 42-vjeçari i veshur me paruke, maskë silikoni në fytyrë, reçipeta dhe një bluzë. Pasi hoqi maskimin, u zbulua trupi i tij muskuloz. Zyrtarët e burgut në Rio de Janeiro thanë se vajza 19-vjeçare kishte shkuar për të vizituar të atin. Plani i 42-vjeçarit ishte ta linte vajzën në dhomën e vizitave dhe ai të largohej i maskuar. Mirëpo, tentativa e tij dështoi. Jo vetëm kaq, por tashmë mund të akuzohet edhe vajza për dhënie ndihme për arratisje nga burgu.

Clauvino da Silva është dënuar për trafik droge me 73 vite e 10 muaj burgim. Autoritetet tashmë po hetojnë si janë futur në qeli rrobat dhe maskimi që përdori 42-vjeçari. Vajza e tij dhe shtatë persona të tjerë që kanë vizituar së fundmi da Silvan po merren në pyetje. Dyshimet janë se sendet janë futur nga një grua shtatzënë që i kishte shkuar për vizitë, e cila nuk u kontrollua nga gardianët.

Clauvino da Silva ka tentuar edhe herë tjetër arratisjen. Në vitin 2013 ai ishte në mesin e 31 të burgosurve që u arratisën nga një burg përmes kanalizimeve. Ai u kap më vonë. Policia braziliane thotë se da Silva do të transferohet në një burg të sigurisë së lartë. /tvklan.al